SPSHSH ka marrë pjesë së fundmi në një trajnim të rëndësishëm në Gjermani, i fokusuar në të drejtat sociale dhe sfidat bashkëkohore që ndikojnë tek punëtorët dhe veprimtaritë sindikale. Ky aktivitet përfaqësoi një mundësi të shkëlqyer për të reflektuar, diskutuar dhe thelluar njohuritë tona mbi çështje kyçe që lidhen me mbrojtjen e punëtorëve.
Gjatë trajnimit, u fokusuam tek temat kryesore si:
*Të drejtat e punëtorëve dhe legjislacioni përkatës* – njohuri të detajuara mbi legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar që mbështet punëtorët.
*Orari i punës, pushimet dhe orët shtesë* – praktikat më të mira dhe sfidat në menaxhimin e kohës së punës.
*Forma të pasigurta të punës dhe punësimi në platforma dixhitale* – rreziqet e punës së paformalizuar dhe ndikimi i ekonomisë digjitale.
*Pabarazitë në paga dhe transparenca gjinore* – analizimi i hendekut gjinor në paga dhe mënyrat për të promovuar barazinë në vendin e punës.
*Lëvizshmëria e punëtorëve dhe sfidat që ata përballen* – migracioni i punëtorëve dhe nevojat e tyre për mbrojtje sociale dhe sindikale.
*Diskutimet e hapura* me përfaqësues të sindikatave dhe ekspertë të fushës na frymëzuan dhe na pajisën me njohuri dhe praktika që do të na ndihmojnë në punën tonë të përditshme për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Ky trajnim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të SPSHSH për të qenë një zë i fuqishëm dhe i besueshëm për punëtorët në Shqipëri, duke mbështetur vendosmërisht punën e denjë dhe të drejtat sociale.