KUNDËR RASTEVE TË SHTUARA TË DHUNËS NDAJ PUNONJËSVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR
Dr. Petrit Gjorgji, mjek i urgjencës pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është goditur para disa ditësh gjatë ushtrimit të detyrës nga familjari i një pacienti që mjekohej pranë këtij shërbimi. Rasti i mjekut Gjorgji nuk përbën një rast të izoluar të dhunës dhe presioneve që ushtrohen ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor nga pacientë dhe familjarë të tyre. Raste të tilla janë të shpeshta edhe pse jo të dokumentuara gjithmonë publikisht. Kriza e Covid 19 e ka dyfishuar rrezikun në punë për punonjësit e kujdesit shëndetësor në një kohë kur ata janë më të nevojshmit në përballimin e saj. Shumë prej tyre janë fyer, anatemuar dhe i janë nënshtruar dhunës psikologjike e fizike.
Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor SPSHSH bën thirrje për më shumë vëmendje dhe mirëkuptim ndaj punës komplekse të mjekëve, infermierëve dhe gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe rolit që ata luajnë në garantimin e shëndetit dhe jetës së qytetarëve.
Sindikata, si grupi më i ngushtë i interesit të këtyre punonjësve, i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse shtetërore për ta adresuar në mënyrë urgjente çështjen e sigurisë në punë të punonjësve të sektorit shëndetësor. Shteti ka detyrimin për të garantuar shëndetin dhe sigurinë jo vetëm të pacientëve, por edhe të mjekëve dhe punonjësve të tjerë të kujdesit shëndetësor.
Nevojitet një qasje shumëplanëshe që përfshin përmirësimin dhe zbatimin adekuat të ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe gjithë legjislacionit të punës, studimin e faktorëve dhe shkaqeve që sjellin intensifikimin e dhunës ndaj personelit shëndetësor, trajnimin e stafeve mjekësore në këtë drejtim, ndërgjegjësimin e publikut dhe mbështetjen e duhur financiare për të adresuar në mënyrën e duhur çështjen e dhunës në sektorin e shëndetësisë.
Për këtë qëllim, është shumë i nevojshëm bashkëpunimi midis aktorëve të ndryshëm të interesit përfshirë qeverinë, institucionet kryesore shëndetësore, sindikatat që veprojnë në sektor, shoqatat mjekësore, shoqërinë civile, policinë dhe autoritetet ligjore.
Duhet të rritet gjithashtu ndërgjegjësimi i qytetarëve për të ndarë punën individuale të stafeve mjekësore nga problematikat e funksionimit të vetë sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor është e angazhuar të luaj një rol aktiv në luftimin e dhunës në sektor dhe gjithashtu të nxisë aktorët e tjerë kryesorë të veprojnë duke mbrojtur kështu më tej cilësinë e mjedisit të punës për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe kësisoj edhe cilësinë e kujdesit për pacientin.
SPSHSH iu bën thirrje institucioneve të kujdesit shëndetësor, duke filluar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të hartojnë në mënyrë prioritare një protokoll të posaçëm për adresimin e veprimeve të dhunës në sistemin shëndetësor. Protokolli duhet të konsultohet me sindikatat e sektorit dhe grupet e tjera të ngushta të interesit dhe të përcaktojë:
- Një politikë të tolerancës zero ndaj dhunës në vendin e punës;
- Një përkufizim universal të dhunës në vendin e punës sipas përcaktimeve të Konventës 190 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ose Organizatës Botërore të Shëndetit;
- Një plan të studiuar për sistemet e sigurisë në vendin e punës duke i përshtatur ato me nevojat dhe veçoritë e secilit shërbim shëndetësor;
- Një plan të dakortësuar veprimesh për profesionistët e kujdesit shëndetësor në rastet e përballjes me episode të dhunës;
- Një sistem për raportimin dhe regjistrimin e akteve të dhunës, i cili të përfshijë edhe raportimin tek autoritetet ligjore dhe /ose të policisë;
SPSHSH është e gatshme të kontribuojë aktivisht me ekspertizën dhe njohjen e thellë të realitetit të punës në sistemin shëndetësor në çdo nismë që institucionet qeveritare do të ndërmarrin në këtë drejtim.
Është koha për t’i thënë “STOP” dhunës ndaj mjekëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor!