Reagim publik për dhunën ndaj bluzave të bardha
Ngjarjet e fundit të ndodhura në spitalin e Fierit, ku mjekë në krye të detyrës u kërcënuan në mënyrë të përsëritur nga një familjar i një pacienti, konflikt i cili u përkeqësua dhe u shndërrua edhe në përballje fizike midis palëve, kanë tundur edhe njëherë fuqishëm këmbanën e alarmit për nevojën e ngutshme të garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së bluzave të bardha në punë.
Me ndryshimet e majit 2019 të Kodit Penal dhe përkatësisht Neni 237 për “Goditjet për shkak të detyrës, Nenit 238 “Kanosje për shkak të detyrës” , veprat e mësipërme të kryera ndaj profesionistëve shëndetësorë për shkak të veprimtarisë në punë dhe në mjediset e institucionit, dënohen me burgim nga tre deri në pesë vjet.
Këto ndryshime pak njihen nga pacientët dhe familjarët e tyre. Në asnjë prej mjediseve të spitaleve dhe qendrave tona shëndetësore, nuk ekziston i publikuar asnjë informacion që iu tërheq vëmendjen pacientëve dhe familjarëve të pacientëve për të trajtuar me respekt profesionistët shëndetësorë gjatë kryerjes së detyrës, për të mos i penguar ata gjatë kryerjes së detyrës, dhe më e rëndësishmja për masat ligjore ndaj atyre që kryejnë kanosje apo dhunë ndaj personelit shëndetësor.
Këto ndryshime ligjore njihen pak edhe nga vetë punonjësit shëndetësorë të cilët duke mos e ditur mbrojtjen që gëzojnë, nuk i paralajmërojnë pacientët dhe familjarët në kohën e duhur.
Sektori shëndetësor është një sektor me përhapje shumë të lartë të fenomeneve të dhunës dhe ngacmimeve në punë në të gjithë botën. Kanosjet, dhuna emocionale, psikologjike e fizike nga pacientët dhe familjarët e tyre janë një pjesë e zakonshme e punës së përditshme të punonjësve shëndetësorë, të cilët janë shpesh të detyruar që së bashku me trajtimin e shëndetit të pacientëve gjë për të cilën edhe paguhen, të trajtojnë të gjithë planin dhe efektet social- psikologjike që sëmundja shkakton tek pacienti dhe familja e tij. Profesionistët shëndetësorë nuk paguhen për të bërë një gjë si kjo. Kjo nuk është detyra e tyre. Është detyrë e administratës dhe menaxhimit të një institucioni shëndetësor të vendosë në dispozicion burimet dhe mekanizmat e nevojshme financiare, njerëzore dhe infrastrukturore që t’i lehtësojë profesionistit të shëndetit të kryejë punën e tij me cilësi, etikë profesionale dhe siguri për jetën dhe integritetin e tij personal. Si në të gjitha vendet e zhvilluara, të cilave shpesh iu referohemi, duhet të ketë programe dhe protokolle të ngritura për parandalimin e rasteve të dhunës, përshtatje infrastrukturore të vendeve të punës për të krijuar barrierën e nevojshme mes profesionistit dhe qytetarit, si dhe më e rëndësishmja profesionistë të informuar dhe trajnuar për rreziqet që puna e tyre mbart.
Vendi i punës që quhet spital apo qendër shëndetësore ku falet shëndet e ku jepet jetë nuk mund të përbaltet ende nga persona që mendojnë që mund të zgjidhin hallet me vetëgjygjësi apo duke e udhëhequr ata protokollin e trajtimit mjekësor që është vetëm dhe vetëm e drejtë e gjykimit të profesionistit mjekësor.
Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, përmes kësaj deklarate sjell me forcë në vëmendjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nevojën që institucionet shëndetësore shqiptare të kenë një qasje të njehsuar karshi praktikave dhe protokolleve të sigurisë së ushtrimit të profesionit të punonjësve shëndetësor me qëllim mbrojtjen e tyre nga të gjitha format e mundshme të dhunës dhe ngacmimeve në punë.
Sindikata bën thirrje për vënien në funksionim të Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë brenda institucioneve tona mjekësore.
Ne bëjmë thirrje që në kurrikulën e edukimit në vazhdim, të futen edhe njohuri që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë të punonjësve shëndetësorë.
TË GJITHË BASHKË PËR MË SHUMË SIGURI DHE TË DREJTA NË PUNË !!
- Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, personeli i Spitalit Ushtarak Tirane, pjese sindikates tone, organizojnë një tubim ne sheshin qendror te ketij spitali, me qëllim reagimin ndaj burgosjes abuzive dhe ne kundershtim me ligjin te dy kolegeve tane mjeke te ketij spitali.
BASHKOHUNI ME NE!
EJANI NË TUBIM !
TI THEMI NDAL ABUZIMIT ME BURGOSJEN PER SHOW TE PUNONJESVE SHENDETESOR!
Koha eshte tani!
Te gjithe bashke per te drejtat tona ne pune!!